​Ilir Meta: Projekti “Serbia e Madhe” dështoi

E publikuar: 25/10/2019 20:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për gazetën egjiptiane “Al – Ahram”, tha se ideja e “Shqipërisë së Madhe” nuk është e mundur, ndërsa projekti për “Serbinë e Madhe” dështoi.

Meta ka theksuar se Bashkimi Evropian tani nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme, por që reformat do të ndihmojnë në përmirësimin e procesit.

“BE tani nuk është në gjendjen e saj më të mirë. Sidoqoftë, Bashkimi Evropian është ndërmarrja më e mirë njerëzore, ku përparimi ekonomik ecën paralelisht me përparimin e të drejtave të njeriut dhe qytetarëve. Situata e BE do të përmirësohet pas reformave të reja”, tha Meta.

I pyetur për marrëdhëniet me Greqinë dhe Turqinë, Meta tha se “Marrëdhënia e Shqipërisë me Greqinë është jashtëzakonisht e rëndësishme. Lidhja jonë me Turqinë është gjithashtu historike.”/Ora News/