​Hoti: Nuk jemi para kolapsit, jemi në gjendje emergjente shëndetësore

E publikuar: 30/11/2020 12:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se vendi nuk është para kolapsit lidhur me pandeminë Covid-19, veçse vendi ndodhet në situatë emergjente shëndetësore.

Hoti tha se janë organizuar klinikat për t’i vënë në funksion të menaxhimit të situatës, për të krijuar shtretër shtesë.

Ai tha se Qeveria po e sheh mundësinë edhe të ndihmojë personat që janë prekur me Covid-19.

“Nuk jemi para kolapsit, jemi në gjendje emergjente shëndetësore, nuk jemi para kolapsit sepse i kemi ndërmarrë masat e nevojshme sikur çdo vend në regjion dhe në BE, e kemi përmirësuar furnizimin me barna, është dukshëm më i mirë tani ndërkohë që po flasim, por e kam parasysh që plot familje shpenzojnë edhe nga xhepi i tyre për të blerë barna të caktuara, do të bëjmë të pamundurën që të furnizojmë edhe komunat, Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare me barna. Po punojmë shumë në sigurimin e vaksinës anti-COVID përtej sasisë që na është garantuar që na jepet krahas vaksinave që u jepen vendeve të tjera të regjionit.

Hoti tha se strategjia që po zbaton Kosova është në përputhje me strategjinë që po zbatojnë edhe vendet e Bashkimit Evropian.

Ai tha se Qeveria po e sheh mundësinë edhe të ndihmojë personat që janë prekur me Covid-19.

Ai bëri thirrje që të miratohet Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Unë ju lus që sa më parë të shkojmë dhe ta miratojmë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike sepse ky na mundëson edhe një 200 milionë euro, menjëherë ndoshta për disa javë, të shkon drejtpërdrejtë në buxhetin e familjeve, mjete që tërheqin nga Trusti. Ndërsa për vitin 2021, unë shpresoj që në tre mujorin e parë të vitit të vitit të ardhshëm ta përmbyllim çështjen me pandeminë duke qenë se po parashihet edhe vaksina, të shohim edhe dinamikën sa shpejtë shpërndahet, por jam i bindur që pjesën e parë të vitit të ardhshëm do të përmbyllet kjo çështje”, tha Hoti.