​Zemaj thotë se testet për COVID-19 janë plotësisht të besueshme

E publikuar: 07/12/2020 21:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka siguruar qytetarët e vendit tonë se të gjitha testet PCR për koronavirus në IKSHPK janë të besueshme.

Ai në një postim në Facebook ka sqaruar se IKSHPK, Departamenti i Mikrobiologjisë, këtë vit mori pjesë në tri kontrolle të jashtme të kualitetit për testimin molekular me Rt PCR, dy për Sars-CoV-2 dhe një për Influencën.

Dy kontrolle janë organizuar nga OBSH dhe një nga Instituti “Pastuer” në Paris përmes projektit MedilabSecure dhe QCMD – Quality Control for Molecular Diagnostics, në Skoci, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se në EQA 1 (external quality assessment) për detektim të Sars-CoV-2 me Real Time PCR, të organizuar nga OBSH-ja në prill 2020, pesë mostrat e dërguara ishin të detektuara 100% saktë.

Në EQA 2, të organizuar nga OBSH për detektim të Influencës me Real Time PCR, në qershor 2020, të gjitha 10 mostrat ishin detektuar dhe subtipizuar në mënyrë të saktë dhe në EQA 3, organizuar nga QCMD për detektim të Sars-CoV-2 me Real Time PCR, përmes projektit Medilab Secure të Institutit “Paster”, në shtator 2020, nga 8 mostrat të dërguara, 100% ishin detektuar në mënyrë të saktë.

“Raportet e tri paneleve të kontrollit të jashtëm të kualitetit janë dëshmi e këtyre konstatimeve dhe besueshmërinë e IKSHPK dhe punonjësve tanë. Për këto rezultate të kualitetit maksimal, meritorë janë mikrobiologët si dhe laborantët në Departamentin e Mikrobiologjisë në IKSHPK, të cilët me përkushtim maksimalë janë duke zbatuar profesionalizëm të plotë nga fillimi i pandemisë me COVID-19”, përfundon Zemaj.