​Gjykata e Apelit refuzon lirimin me kusht të Hysni Gucatit

E publikuar: 09/12/2020 22:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ka hedhur poshtë kërkesën për lirim me kusht të kreut të të OVL të UÇK-së Hysni Gucati.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucai është arrestuar më 25 shtator në zyrat e OVL-UÇK, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Për Gucatin kishte një fletarrestim dhe urdhër për transferim të lëshuar nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara.

Ai është paraqitur për herë të parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara në Hagë më 1 tetor të këtij viti.

Gucati bashkë me udhëheqësit e tjerë të OVL-UÇK, përmes konferencave për media, kishin deklaruar që në zyrat e organizatës një person i panjohur ka sjellë dokumente, që siç kanë deklaruar ata, janë dosje që rrjedhin nga Gjykata Speciale.

Njoftimi i plotë i Speciales:

Më 9 dhjetor 2020, paneli i Dhomës së Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës nxori vendimin vet të parë mbi apelimin e ndërmjetëm prej Hysni Gucatit të vendimit të Gjykatësit të Vetëm mbi ligjshmërinë e arrestimit të tij dhe kërkesën për dorëzani. Në këtë vendim të parë, paneli i Gjykatës së Apelit përcaktoi standardin e vlerësimit të apelimeve të ndërmjetme, si dhe kriteret që duhet të respektohen në procedurën e apelit.

Duke zbatuar standardin e lartpërmendur, paneli i Gjykatës së Apelit hodhi poshtë tërësisht apelin e Gucati. Megjithëse konstatoi se fletarrestimi ishte bazuar gabimisht në nenin 39(3) të Ligjit që përcakton kompetencat e Gjykatësit të Procedurës Paraprake pas parashtrimit të një aktakuze, për arsyet e shtjelluara në vendim, paneli gjykoi se korniza ligjore e Dhomave të Specializuara gjithsesi konfirmon kompetencën e Gjykatësit të Vetëm për të lëshuar fletarrestim para parashtrimit të një aktakuze.

Paneli i Gjykatës së Apelit gjithashtu konstatoi se vendimet në lidhje me lirim të përkohshëm janë brenda kompetencave gjykuese të Gjykatësit të Vetëm dhe se ai nuk e shpërdori kompetencën e vet kur shqyrtoi kushtet e propozuara nga z. Gucati në mbështetje të kërkesës së tij për dorëzani. Për mendimin e panelit, z. Gucati nuk vërtetoi se Gjykatësi i Vetëm bëri gabim të dukshëm në vlerësimin e tij nëse paraburgimi i Gucati është i domosdoshëm në bazë të nenit 41(6) të Ligjit.

Paneli i Gjykatës së Apelit theksoi rëndësinë e parimit të proporcionalitetit në kontekstin e masës së mbajtjes në paraburgim në pritje të gjykimit dhe konstatoi se paraburgimi i Gucati vazhdon të jetë proporcional në këtë fazë të hershme të procesit.