​Gjilani është përfitues i projekteve në eficiencë të energjisë për tetë shkolla

E publikuar: 10/09/2020 14:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me drejtorin ekzekutiv të Fondit të Kosovës për Eficiencë të Energjisë, Admir Shala, për investime në eficiencë të energjisë, ku përfitues janë shkolla “Rexhep Elmazi” dhe “Mehmet Isai”.

Haziri ka potencuar se eficienca e energjisë është kriter ndërkombëtar i angazhimit në sektorin publik dhe privat, dhe njëkohësisht mundëson kursim të mjeteve buxhetore, zhvillim të projekteve publike me interes të përgjithshëm, por edhe kushte më të mira në mësimdhënie e nxënie për nxënësit.

Ndërsa Admir Shala, drejtor ekzekutiv në Fondin e Kosovës për Eficiencë të Energjisë, ka bërë të ditur se në këtë fazë janë këto dy shkolla përfituese nga ky fond dhe punimet sipas tij do të fillojnë në pranverën e vitit 2021.

Ai ka inkurajuar Komunën e Gjilanit që të aplikojë edhe në thirrjet tjera që do të publikohen me projekte të kësaj natyre për objektet publike si në fushën e arsimit, shëndetësisë, apo të kulturës.

Shkollat përfituese më herët në eficiencë janë “Ibrahim Uruqi” në Bresalc, “Liria” në Pogragjë dhe “Dëshmorët e Kombit” në Livoç, “Vesel Muji” në Mihir të Bresalcit, “Thimi Mitko” dhe “Skenderbeu” në Përpelnicë.

Ndryshe, në kuadër të eficiencës së energjisë, varësisht nga nevojat e shkollave është investuar në sistemin e ngrohjes, izolimin e kulmeve, termoizolimin e mureve, ndërrimin e poçeve elektrike, dyerve, dritareve dhe izolimin e dyshemeve.