​Dumoshi e Tahiri përurojnë palestrën sportive në Samadrexhë të Vushtrrisë

E publikuar: 17/07/2020 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Samadrexhë të Vushtrrisë, sot është bërë përurimi i palestrës sportive, që është investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit e që ka kushtuar 860 mijë euro.

Në ceremoninë e inaugurimit te palestrës sportive, ministrja e MKRS-së Vlora Dumoshi, tha se fshatit Samadrexhë i është dashur kjo palestër, si një vend që ka traditë të sportit.

Dumoshi: Prioriteti i MKRS-së, zhvillimi dhe ofrimi i infrastrukturës për sportistët tanë

Video

“Prioriteti i MKRS-së është zhvillimi dhe ofrimi i infrastrukturës për sportistët tanë, që çdo ditë na bëjnë krenar me pjesëmarrjen e tyre qoftë në Kosovë, po edhe jashtë. Investimi i kësaj palestre që nga fillimi ka qenë i ministrisë, duke filluar nga projekti dhe deri në përfundim, me një kosto 860 mijë euro, por përfitimi më i madh shkon tek sportistët, qoftë tek hendbolli, futbolli dhe basketbolli. Faleminderit shumë për përkrahjen e djemve, po posaçërisht vajzave që i shtyni që ato të jenë më të forta dhe të marrin përgjegjësi në çdo hap të jetës”, tha ajo.

Ministrja Dumoshi tha se për vitin 2021 Vushtrria do ta ketë përkrahjen e ministrisë për projekte të ndryshe. Ajo u zotua se do të vazhdojnë me projekte të cilat shkojnë për qytetarët e komunës, për sportistët, për pjesën e kulturës dhe për pjesën e trashëgimisë.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, tha se për të është ndrë, privilegj dhe krenari që po i japin tashmë Samadrexhës një palestër moderne.

Tahiri: Po i japim Samadrexhës atë që e ka merituar që shumë kohë

Video

“Po i japim përfundimisht Samadrexhës atë që e ka merituar që shumë kohë. Një palestër moderne, një palestër që e bënë krenar jo vetëm Samadrexhën e Vushtrrinë, po krejt Kosovën dhe që i shkon klubit të Samadrexhës, edhe klubit të vashave edhe të djemve, sepse ju me punën e juaj, me sukseset e juaja, me trofetë e fituara për shumë vite për sport jeni bërë padyshim emblema dhe krenaria e sportit të Vushtrrisë, të krejt Kosovës. Është e rrallë që në një fshat dhe në një lokalitet sikur që është këtu Samadrexha të kemi kaq shumë klube sportive dhe kaq shumë aktivitete”, tha ai.

Ky fshat dhe klubi i Samadrexhës, Tahiri tha se i ka dhënë krenari sportit vushtrrias që në kohën e ish-Jugosllavisë kur në ligën e parë ka qenë klubi dhe tash kur vajzat e Samadrexhës janë shpallur kampion i Kosovës.

Lajm të mirë përfundimin e kësaj palestre, e quajti edhe nënkryetari i Federatës së Hendbollit Enis Idrizi.

Idrizi: Kjo palestër do t’iu shërbejë shumë gjeneratave të reja

Video

“Federata e hendbollit sot ka një gëzim, sot po i bashkëngjitet Federatës së Hendbollit edhe një palestër mjaftë moderne, e cila i mbush standardet e Federatës Evropiane të Hendbollit për zhvillimin e ndeshjeve të hendbollit. Nuk ka kënaqësi më të madhe se kur është një vatër e hendbollit të shtohet një palestër dhe kjo palestër do t’iu shërbejë shumë gjeneratave të reja”, tha ai.

E shumë i gëzuar për përfundimin e palestrës në fshatin Samadrexhë, u shpreh Ferat Basholli, që foli në emër të banorëve të këtij fshati.

Basholli: Ëndrra ime u realizua deri në maksimum

Video

“Kurrë më i privilegjuar nuk kam qenë se ëndrra ime u realizua deri në maksimum. Vitin e ardhshëm bëhen 50 vite që u themelua klubi i hendbollit Samadrexha”, tha ai.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, gjatë ditës ka zhvilluar edhe një takim me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri./M.Duraku/