​Diplomacia, pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare e një njohje që s’u bë zyrtare

E publikuar: 03/01/2021 14:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova dështoi edhe këtë vit për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Madje, për dallim prej viteve të kaluara, qeveria në detyrë Hoti lëshoi qarkore për të gjitha institucionet e vendit të mos aplikojnë në asnjë prej organizatave multilaterale për 1 vit, përfshirë, Këshillin e Evropës, UNESCO dhe Interpol.

Kjo si pasojë e marrëveshjes së Uashingtonit, ku Serbia ndaloi fushatën për tërheqje të njohjeve për Kosovën. E përveç njohjes së Izraelit që Lëvizja Vetëvendosje po e konsideron diskutabile, ekzekutivi dështoi të sigurojë njohje tjera.

Fajtorë për këtë po konsiderohet lobimi diplomatik i dobët i institucioneve. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme po kritikohet edhe për angazhim të militantëve politikë gjatë vitit të kaluar në shërbimin diplomatik të Kosovës.

E këto zhvillime në kuadër të politikës së jashtme, partitë politike i shohin në këndvështrime të ndryshme për shkak edhe pse në krye të dikasterit gjatë vitit 2020 ishin tre ministra, Behgjet Pacolli, Glauk Konjufca, dhe tashmë ministrja në detyrë, Meliza Haradinaj-Stublla.

Derisa dy partitë, LDK dhe AAK që ishin pjesë qeverisë arsyetojnë mos anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, LVV dhe PDK e quajnë të dështuar diplomacinë kosovare gjatë këtij viti.

Deputetja e legjislaturës së fundit nga radhët e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni thotë për KosovaPress se vendi për shkak të pandemisë ka pasur ngecje në aspektin diplomatik gjatë vitit 2020. Sidomos, siç vlerëson ajo, prej qershorit e tutje kur në krye të vendit erdhi Qeveria Hoti, derisa e vë në mëdyshje edhe vet njohjen e Izraelit pas rrëzimit të qeverisë atje.

“Fatkeqësisht gjatë 2020 në aspektin diplomatik kemi pasur ngecje jashtëzakonisht shumë si shtet. Pasi nuk ka pasur politikë të jashtme, qysh prej kur pushtetin e ka marrë kjo qeveri ilegale, e që nuk ka bërë asnjë veprim konkret sa i përket politikave të jashtme dhe lobimin për të njohur shtetin tonë nga shtetet ndërkombëtare. Kështu që nuk është se janë ndërtuar marrëdhënie dhe nuk është se ka pasur avancim sa i përket sferës së diplomacisë. Do të thotë mbi të gjitha është bërë edhe pezullimi i anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, që do të thotë kjo ka shkaktuar një regres shumë të madh sa i përket avancimit tonë si shtet. […] E vetmja lëvizje që ka ndodhur prej atij takimit të 4 shtatorit në Uashington, e të cilën ne si LVV e kemi përshëndetur, ka qenë kjo njohja që do të vijë prej Izraelit, e cila nuk erdhi asnjëherë. Për më tepër ne pamë se qeveria në Izrael ka rënë dhe ne kemi mbetur pa e ditur se çka ka ndodhur me këtë njohje. Po duket që ka qenë përdorur në këtë kohë për fushata elektorale të personave që ishin të përfshirë në këtë njohje, por të cilën që nuk e morëm”, thotë ajo.

This image has an empty alt attribute; its file name is kryeziu-030121.jpg

Anëtarja e kryesisë së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi thotë se viti i kaluar ka qenë ndër vitet më të rënda sa i përket politikës se jashtme.

“Theksoj që viti 2020 ka qenë ndër vitet më të rënda sa i përket politikës së jashtme. Këtu marrë parasysh pandeminë, mirëpo çka e karakterizon Qeverinë Hoti vlerësoj se është nënshkrimi i marrëveshjes së Uashingtonit, me të cilin është pezulluar aplikimi në organizata ndërkombëtare, është pezullim i agjendës ndërkombëtare dhe besoj që ka pasur mundësi të bëhet punë më shumë sa i përket aplikimit në organizata ndërkombëtare. Po ashtu edhe në njohjet bilaterale vlerësoj se nuk është bërë aq sa duhet, pasi ka pasur mundësi që të bëhet një lobim më i madh dhe të kemi më shumë njohje”, thotë ai.

This image has an empty alt attribute; its file name is musliu-shoshi-30121.jpg

Krahas kritikave për militantizmin diplomatik, Faton Bislimi nga LDK deklaron se përkundër lëshimit të qarkores nga qeveria, vendi do ta kishte të vështirë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

“Vlerësimi im është që diplomacia e Kosovës, sidomos kohët e fundit ka degraduar jashtë mase. Ne nuk e kemi pasur luksin e as komoditetin që të sillemi me shërbimin tonë të jashtëm sikur me ndonjë kompani, apo ente punësimi për eksponentët partiakë, të cilësdo parti qofshin. Diplomacia e Kosovës e ka momentin e fundit të ri zgjohet dhe rivalizohet në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe interesave të shtetit. […] Tek pjesa e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare ne duhet të jemi të vetëdijshëm se e kemi pasur të vështirë arritjen në çfarëdo anëtarësimi në organizata ndërkombëtarë pa mbështetjen dhe lobimin e fuqishëm që ka pasur aleatët tanë të pazëvendësueshëm siç janë ShBA dhe BE. Në mungesë të vullnetit të tyre dhe pamundësisë së tyre për të ndihmuar në këtë proces, ne e kemi të vështirë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Plus shto këtu marrëveshjen e Uashingtonit që na jep pauzën njëvjeçare në aplikim dhe interesim tonin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, u shpreh ai.

This image has an empty alt attribute; its file name is bislimi-030121.jpg

Ndërsa, në partinë që udhëheq me dikasterin e punëve të jashtme thonë se ministrja Haradinaj-Stublla ka qenë aktive në diplomaci, mirëpo për shkak të pandemisë janë stopuar disa procese.

Time Kadrijaj nga AAK, thotë se për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare duhet një analizë e mirëfilltë para se të aplikohet.

“Aplikimi për anëtarësim nuk bëhet ad-hoc. Duhet të kemi një përgatitje sepse ne edhe për Interpol edhe UNESCO kemi dështuar. Duhet një lobim i mirëfilltë, e keqja ka qenë se na kemi besuar se këto vende që kanë njohur pavarësinë e Kosovës do të votojnë pro, pa ndonjë lobim. E keqja ka qenë se edhe vendet njohëse nuk na kanë votuar. Për këtë mendoj se duhet një lobim pak më i gjerë, edhe këto vende që na kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e që nuk e kanë njohur duhet të shtrihet lobimi dhe diplomacia parlamentare që të jetë aktive për të arritur synimet që të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare. Tash për shkak të pandemisë janë stopuar këto procese, unë thash se ministrja ka qenë tepër aktive, edhe me vizita bilaterale që ka bërë në vendet më të mëdha. Në çdo takim ne kërkojmë nga BE-ja të shtrijë ndikimin në vendet që se kanë njohur pavarësinë e Kosovës, sidomos kjo pesëshja e BE-së që se ka njohur pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të njohin”, thotë ajo.

This image has an empty alt attribute; its file name is kadrija-030121.jpg

KosovaPress ka pritur me javë për një prononcim të zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme për t’u deklaruar mbi këtë çështje, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Për Kosovën ende po mbetet sfidë anëtarësimi në ndonjë prej organizatave të mëdha ndërkombëtare, ndërsa vështirësi ka edhe në sigurimin e njohjeve të reja./E.Zeqiri