​BE kërcënon me veprime ligjore ndaj Britanisë së Madhe për shkak të Brexit

E publikuar: 10/09/2020 19:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bashkimi Evropian po kërkon planet e Britanisë së Madhe për të rishkruar pjesë të marrëveshjes së divorcit Brexit deri në fund të muajit ose do të rrezikojnë bisedimet tregtare.

BBC citon Maros Shefçoviq, zyrtar i BE-së, të ketë deklaruar se projektligji i planifikuar në Britaninë e Madhe kishte “dëmtuar seriozisht besimin” dhe se BE nuk do të ishte “e ndrojtur” për të përdorur veprime ligjore kundër Londrës zyrtare.

Qeveria britanike tha se Parlamenti ishte sovran dhe mund të miratojë ligje që shkelin detyrimet e traktatit të Britanisë së Madhe, ndërkohë, bisedimet tregtare midis zyrtarëve të Britanisë së Madhe dhe BE-së po vazhdojnë në Londër.

Burimi i shqetësimit të BE-së është projektligji i propozuar i kryeministrit Boris Johnson për tregun e brendshëm, i cili u botua të mërkurën. Ai adreson Protokollin e Irlandës Veriore – një element i marrëveshjes së tërheqjes i krijuar për të parandaluar kthimin e një kufiri të fortë në ishullin e Irlandës.

Projektligji nuk propozon kontrolle të reja mbi mallrat që lëvizin nga Irlanda e Veriut në Britaninë e Madhe. Ai u jep ministrave britanikë kompetenca për të modifikuar ose “mos respektuar” rregullat në lidhje me lëvizjen e mallrave që do të hyjnë në fuqi nga 1 janari, nëse Britania e Madhe dhe BE nuk janë në gjendje të bëjnë një marrëveshje tregtare.

BE hodhi poshtë argumentet e Londrës se projektligji është krijuar për të mbrojtur paqen në Irlandën e Veriut duke argumentuar se “bën të kundërtën”.

Maros Shefçoviq tha se nëse projektligji do të miratohej, ai do të përbënte një “shkelje jashtëzakonisht serioze” të marrëveshjes së tërheqjes dhe të së drejtës ndërkombëtare. Ai i kërkoi qeverisë të tërhiqte projektligjin “deri në fund të muajit”.

Projektligji i Tregut të Brendshëm do të debatohet zyrtarisht nga deputetët në Parlament për herë të parë të hënën, më 14 shtator.