​45% e të rinjëve thonë se mbajnë maskë në publik

E publikuar: 17/07/2020 21:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka realizuar një sondazh të ri me të rinjtë në Kosovë, përmes U-Report, ku 1618 të rinj iu janë përgjigjur sondazhit, ku edhe kanë shprehur qëndrimet për masat parandaluese COVID-19 dhe masat që po marrin ata vetë.

Kosova, ngjashëm sikurse rajoni, kohëve të fundit ka shfaqur një rritje të rasteve të të infektuarve me COVID-19, pas lehtësimit të kufizimeve dhe përfundimit të izolimit.

Zyra e UNICEF-it në Kosovë njoftin se më 9 korrik të këtij viti u lansua një sondazh përmes U – Report për të identifikuar shqetësimet e të rinjve lidhur me situatën.

“Sipas përgjigjeve që kanë dhënë të rinjtë, shumica po marrin masa për të mbrojtur veten dhe të dashurit e tyre, por të rinjtë mendojnë se është e rëndësishme që të gjithë të fillojnë t’i marrin ato masa për të parandaluar përhapjen e COVID-19. 86% e pjesëmarrësve në anketë besojnë se duke mbajtur maskën ata e mbrojnë veten, të tjerët, ose të dy palët, por vetëm 45% thanë se mbajnë maskë rregullisht në publik. Disatë rinjë janë skeptikë për faktet rreth virusit dhe masat paraprake të nevojshme. 2% e pjesëmarrësve në anketë mendojnë se mbajtja e maskës ka një efekt negativ. 10% e pjesëmarrësve në anketë mendojnë se virusi nuk është i rrezikshëm apo nuk ekziston. 5% deklaruan se nuk kanë ndërmarrë ndonjë masë mbrojtëse kundër COVID-19 në 2 javët e fundit. 7% e pjesëmarrësve në anketë deklaruan se do të vazhdonin të takonin një shok/shoqe të infektuar me COVID-19, pa ndonjë masë mbrojtëse (maskë, dorëza, distancë) – të gjithë prej tyre meshkuj. 26% i konsiderojnë shqetësimet e njerëzve për COVID-19 si të ekzagjeruara. Shumica e U-Raportuesve thonë se janë më të kujdesshëm mbi masat e parandalimit sesa miqtë e tyre? Megjithëse 45% e U-Raportuesve thanë se mbajnë maskë kur janë në publik, ata deklarojnë se e njëjta gjë nuk ndodh kur pyeten për miqtë e tyre, me c’rast shifrat bien në vetëm 16% të miqve të tyre që mbajnë maskë.

Ndryshe, U-Report është një platformë që përdoret nga të rinjtë për të shprehur mendimet e tyre për çështje kritike në komunitetet e tyre./kp/