​​Wieland kundër korrigjimit të kufijve, fton të mos premtohen data për liberalizim

E publikuar: 03/01/2019 07:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland ka deklaruar se ideja për korrigjim të kufijve nuk është e mirë dhe sipas tij mund të sjellë më shumë probleme, sesa gjëra pozitive.
Wieland pas takimit që ka pasur ditën e djeshme me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave ku ka thënë se do të mbështes Kosovën që të mos ketë kushte të reja.

Ai ka thënë se ideja e korrigjimit të kufijve nuk është mbështetur as nga Kancelarja, Angela Merkel.

“Ne nuk mendojmë se është një hap i mirë për të ndryshuar në këtë rajon, në këto rajone të veçantë janë kufijtë, sepse ka më shumë ndikime sesa në rajone të tjera, pothuajse gjithandej në botë. Pra, unë nuk mendoj që është një ide e mirë kjo dhe ne duhet të merremi me atë që kemi, që t’u shërbejmë njerëzve e jo të vendosim një fotomorganë në horizont, e cila mund të sjell gjëra më problematike, sesa që sjell arritje në anë pozitive tek njerëzit”, ka deklaruar ai.

Sa i përket liberalizmit të vizave, Wieland ka thënë se nuk mund të premtojë se kur mund të ndodh kjo, pasi që ka disa qeveri që ende nuk janë të bindur për ta përkrahur Kosovën. Mirëpo, ai ka premtuar se do ta mbështesë Kosovës që të mos ketë kushte të tjera.

“Parlamenti Evropian vitin e kaluar e ka miratuar këtë, e ka votuar dhe me një shumicë dërrmuese, po ashtu në atë votim ka qenë edhe vota ime. Unë do t’iu mbështes juve, do t’iu përkrahi që të mos ketë kushte të tjera që të shtohen përpos atyre kushteve që ju i keni pasur. Fatkeqësisht nuk mund t’iu premtoj se kur do të bëhet kjo, për arsye se ka disa qeveri që ende nuk janë të bindura për ta përkrahur”, u shpreh ai.

Ai ka porositur politikanët kosovar që të mos premtojnë data se kur mund të ndodh liberalizimi i vizave.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se ka kërkuar ndihmën e zëvendëspresidentit të PE-së për të treguar të vërtetën e Kosovës.

“Nuk ka dilemë që biseduam edhe për çështjen e liberalizimit të vizave të dinamikave të mundshme. Për mua është shumë me rëndësi pra përkrahja e Gjermanisë, përkrahja e z.Wieland, ia kërkova ndihmën që ne jemi vend i vogël, ne e kemi zor me ia shpjegua Gjermanisë e Brukselit të vërtetën për ne, e ia kërkova edhe një herë ndihmën që të vazhdon me iu tregua të vërtetën e Kosovës të gjithëve”, tha Haradinaj.

Gjithashtu, është bërë e ditur se Kosova dhe Gjermania kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbim të nxënësve, ku ata kosovarë do të shkojnë në Gjermani dhe ata të Gjermanisë do të vijnë në Kosovë.

Në fund të takimit, zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, i ka dhuruar kryeministrit një tren. Ndërsa, kryeministri i ka dhuruar hartën e artë të Kosovës.